Kongresmeni amerikan Ritchie Torres, i njohur për qëndrimin e tij pro-shqiptar, ka vlerësuar Kosovën si aleatin më të madh në rajon të Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në platformën X, ai publikoi foto nga takimi i zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Torres, bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin e SHBA-së dhe përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bronx, u shpreh se “Shtetet e Bashkuara nuk njohin aleat më të madh në Ballkanin Perëndimor sesa Kosova.”
Presidentja Osmani falënderoi kongresmenin për mbështetjen e palëkundur dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në.
Qeveritë e Kosovës e konsiderojnë Amerikën partnerin më të rëndësishëm dhe theksojnë se mbështetja amerikane është jetike për zhvillimin e vendit.
Që nga viti 1998, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën, duke forcuar më tej lidhjet mes dy vendeve.