GORÇEVIQ: ZGJERIMI I SUKSESSHËM KËRKON TRANSPARENCË, BASHKËPUNIM DHE PJESËMARRJE TË GJITHË SHOQËRISË

Foto: Ministria e Çështje Evropiane / Ministarstvo evropskih poslova

Mali i Zi është ndër vendet e rralla kandidate që ka përfshirë sektorin civil si partner të barabartë që nga fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, u theksua gjatë Forumit të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, të mbajtur në Bruksel, ku mori pjesë edhe ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq.

Gjatë hapjes së Forumit, Gorçeviq theksoi se Mali i Zi që në fillim të procesit të negociatave ka përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare si partnerë të barabartë.

Ajo bëri të ditur se përfaqësuesit e sektorit civil marrin pjesë në të gjitha grupet punuese negociuese si anëtarë me të drejta të plota, me mundësi për të kontribuar dhe për të marrë pjesë në procesin vendimmarrës.

“Kjo qasje ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë dhe besueshmërinë e reformave tona në rrugën drejt BE-së. Pjesëmarrja e sektorit civil ka garantuar më shumë transparencë, besim nga publiku dhe pronësi më të gjerë mbi agjendën evropiane”, theksoi ministrja Gorçeviq.

Ajo shtoi se në Mal të Zi pjesëmarrja e shoqërisë civile është e institucionalizuar, përmes përfshirjes së tyre në organe kyçe, si Këshilli për Sundimin e Ligjit, Komiteti Mbikëqyrës për Agjendën e Reformës në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe Këshilli për bashkëpunim me OJQ-të.

“Të gjitha këto trupa janë shumë aktive dhe duhet të theksoj se ne në Mal të Zi kemi një sektor joqeveritar të fuqishëm, për të cilin duhet të jemi krenarë”, shprehet Gorçeviq.

Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Oliver Röpke, e vlerësoi Malin e Zi si një nga vendet udhëheqëse të procesit të zgjerimit.

Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut social në vendet kandidate, duke theksuar se një proces i suksesshëm zgjerimi nuk mund të kufizohet vetëm në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve evropiane dhe qeverive, por duhet të përfshijë fuqishëm edhe shoqërinë civile.

“Nëse duam të arrijmë rezultate deri në vitin 2028, duhet të punojmë së bashku. Një shoqëri civile demokratike dhe e qëndrueshme në vendet kandidate është në interesin e të gjithë BE-së”, tha Röpke.

SHARE