Foto: Ilustrim
Administrata Tatimore ka kryer 1.445 kontrolle nga fillimi i majit deri më 13 korrik, duke vënë theksin te respektimi i disiplinës fiskale dhe luftimi i ekonomisë joformale.
Duke marrë parasysh se gjatë sezonit veror turistik rritet ndjeshëm aktiviteti ekonomik, veçanërisht në komunat bregdetare dhe qendrat turistike, Administrata Tatimore ka intensifikuar veprimtaritë e saj, kryesisht përmes inspektimeve të shtuara në terren.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar gjithsej 215 parregullsi, për të cilat janë lëshuar 304 urdhërndëshkime, me gjoba në shumën prej 1.003.500 eurosh. Nga kjo shumë, janë ngarkuar për pagesë 582.560 euro, ndërsa janë arkëtuar 344.675 euro, që përbën 59% të shumës së ngarkuar. Kjo shumë e arkëtuar përfaqëson pagesat e tatimpaguesve që kanë pranuar përgjegjësinë për shkeljen dhe kanë paguar gjobat brenda afatit prej tetë ditësh, me ulje prej një të tretës, në përputhje me Ligjin për Kundërvajtjet.
Masë e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë është shqiptuar ndaj 9 tatimpaguesve.
Për të përmirësuar komunikimin dhe për të forcuar besimin e ndërsjellë, Administrata Tatimore u bën apel të gjithë tatimpaguesve që të veprojnë në përputhje me dispozitat tatimore në fuqi, të raportojnë të ardhurat e tyre në mënyrë të rregullt dhe të lëshojnë kuponë fiskalë.
Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme duke telefonuar në numrin 19707 të Qendrës së Thirrjeve ose përmes platformës „Ji i përgjegjshëm“.