KUVENDI I MALIT TË ZI DISKUTOI PROPOZIMIN PËR NDRYSHIME NË LIGJIN E PUNËS

Kuvendi i Malit të Zi diskutoi sot Propozimin për ndryshime në Ligjin e Punës, i propozuar nga Partia Popullore Socialiste dhe i cili përcakton se një marrëdhënie pune me afat të caktuar nuk mund të zgjasë më shumë se dy vjet.

Zgjidhja aktuale ligjore parashikon që një marrëdhënie pune me afat të caktuar mund të zgjasë maksimum tre vjet.

Ndryshimet propozojnë një zgjidhje ligjore që ishte e vlefshme para hyrjes në fuqi të Ligjit aktual të Punës, pra në periudhën nga dhjetori 2011 deri në janar 2020.

Deputeti Bogdan Bozhoviq, në emër të propozuesit tha se motivi kryesor për propozimin e ndryshimeve janë të gjithë të punësuarit në Mal të Zi, por se fokusi është kryesisht tek të rinjtë.

“Studime të shumta tregojnë se mbi 70 për qind e të rinjve ende dëshirojnë të largohen nga Mali i Zi dhe të kërkojnë kushte më të mira jetese diku tjetër,” tha Bozhoviq.

Ai kujtoi gjithashtu se bankat komerciale japin kredi për shtëpi vetëm për ata që kanë vendim të përhershëm në punë.

“Në këtë mënyrë ne duam të krijojmë kushte më të favorshme, domethënë të shkurtojmë intervalin kohor për të cilin dikush mund të marrë një vendim të përhershëm në punë”, ka shpjeguar Bozhoviq.

SHARE