ÇARAPIQ: BANKA PËR ZHVILLIM KA NJË SHANS TË MADH, PARATË TASHMË EKZISTOJNË DHE DO TË MERREN NGA FONDI PËR ZHVILLIMIN E INVESTIMEVE

Deputeti i Lëvizjes „Evropa Tani“ Vasilije Çarapiq në konferencën e sotme për media tha se Projektligji për Bankën Zhvillimore është dorëzuar në procedurë parlamentare dhe se shpreson që të miratohet tashmë këtë muaj.

Çarapiq po ashtu tha se themelimi i kësaj banke, ndër të tjera, mundëson në radhë të parë rritjen dhe zhvillimin stimulues të kompanive.

“Sot po prezantojmë ligjin që e kemi dorëzuar dje në procedurë parlamentare, i cili do të formësojë të ardhmen e vendit tonë. Propozimi i Ligjit për Bankën Zhvillimore të Malit të Zi vendos bazën për transformimin e Fondit për Zhvillimin e Investimeve në Bankën Zhvillimore të Malit të Zi. Banka Zhvillimore do të jetë shtytësja e zhvillimit ekonomik, e fokusuar mbi të gjitha në rritjen e përshpejtuar ekonomike dhe mbështetjen e sipërmarrjeve mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha. Kjo bankë nuk do të jetë një institucion i zakonshëm financiar e cila përpiqet të bëjë një fitim. Me themelimin e kësaj banke, në radhë të parë lehtësojmë rritjen dhe zhvillimin e kompanive, kreditë e favorshme dhe mbështetjen financiare, realizimin e projekteve infrastrukturore të rëndësishme për vendin tonë, si ndërtimi i rrugëve, infrastrukturës energjetike dhe projektit të ujësjellësit dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.

Ai tha se Banka Zhvillimore do të merret edhe me biznese të tjera, në përputhje me politikën e saj afariste.

Ai tha se kapitali themelues i Bankës Zhvillimore nuk mund të jetë më i vogël se 90 milionë euro dhe shtoi se kjo është e shkruar pikërisht në propozimin e Ligjit.

“Këto para ekzistojnë tashmë dhe nuk do të nevojiten para shtesë për këtë bankë. Kapitali do të jetë paratë e marra nga Fondi për Zhvillimin e Investimeve”, tha Çarapiq.

Ai theksoi se dëshira politike është që gradualisht të zhvillohet biznesi me popullsinë, veçanërisht në fushën e kredive të favorshme për banesa.

Çarapiq tha se qytetarët dhe ekonomia mund të jenë të sigurt për stabilitetin e atij institucioni.

Ai po ashtu tha se Ligji do të jetë në procedurë edhe për një kohë, por edhe se shpreson që të miratohet gjatë këtij muaji.

SHARE