Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qëllimi ambicioz që Mali i Zi të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2028 mbetet i realizueshëm dhe i arritshëm, tha kryenegociatori Predrag Zenoviq, duke theksuar se këtë e konfirmon edhe dokumenti “non-paper” i Komisionit Evropian për kapitujt negociues 23 dhe 24.
Zenoviq, në një konferencë për media ku u prezantua ky “non-paper”, tha se Mali i Zi ka disa korniza në të cilat analizohet progresi në fushën e sundimit të ligjit gjatë rrugës evropiane.
“Përveç raportit të progresit që përmban analizën, ekziston edhe ‘non-paper’-i që ndërlidhet me dinamikën e këtyre kapitujve, i cili shërben si një pasqyrë gjashtëmujore,” tha Zenoviq.
Ai theksoi se një arritje kyçe në sundimin e ligjit është njohja që Mali i Zi ka përmbushur kriteret e përkohshme – IBAR.
“IBAR ishte një pikë kthesë e rëndësishme dhe tani jemi në fazën e zbatimit të gjithçkaje që parashikohet,” tha Zenoviq.
Ai shtoi se “non-paper”-i ofron një analizë të mirë dhe tregon hapësira për përmirësime dhe avancime të mëtejshme të sistemit.
“Pas përparimeve në fushën legjislative, tani në fokus janë reformat konkrete dhe implementimi,” shtoi Zenoviq.