QEVERIA SHQIPTARE ORGANIZON OPERACION EVAKUIMI PËR PESË SHTETAS NGA IZRAELI

Qeveria shqiptare ka kryer me sukses evakuimin e pesë shtetasve shqiptarë që ndodheshin në Izrael, në një kohë të tensionuar për rajonin e Lindjes së Mesme.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, bëri me dije se qytetarët shqiptarë, të cilët ndodheshin atje për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit dhe ndodhen tashmë në territorin egjiptian, në gjendje të mirë shëndetësore.

Ata pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri.

“Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua falë përpjekjeve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro”, tha ministri Hasani.

Ai falënderoi autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, March Ghoryeb, për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë operacionit.

Ekskluzivisht për Top Channel, konsulli shqiptar në Liban dhe këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Lindjen e Mesme, March Ghoryeb, dha detaje nga ky operacion evakuimi.

Ai theksoi rolin vendimtar të ambasadores Meri Kumbe në Izrael, e cila përballoi situatën e vështirë nën sulmet e vazhdueshme për të siguruar largimin e qytetarëve shqiptarë.

“Kemi bashkëpunuar ngushtë me shtetin egjiptian, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe të forta ndër vite. Egjipti nuk ka refuzuar asnjëherë kërkesat tona për ndihmë, as në këtë rast të fundit,” tha Ghoryeb.

Ai falënderoi shërbimin inteligjent të Egjiptit, JID, si dhe kryeministrin dhe presidentin e vendit për mbështetjen e tyre.

Në fund, konsulli Ghoryeb i dërgoi urimet më të mira të gjithë të evakuarve, duke u dëshiruar shëndet dhe bekime.

Ky operacion vjen në një periudhë të vështirë për rajonin e Lindjes së Mesme, ku përplasje dhe konflikte të ndryshme kanë vënë në rrezik sigurinë e shumë qytetarëve të huaj, duke nxitur shtetet të marrin masa për të mbrojtur dhe evakuar qytetarët e tyre.

SHARE