Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë në samitin e nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore të mbajtur në Tiranë, se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE), nuk është proces bamirësie por investim strategjik në siguri, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani duke falënderuar presidentin shqiptar Bajram Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit, në adresimin e saj theksoi se është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën.
“Zgjerimi i BE-së nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tonë”, theksoi Osmani.
Ajo ka përmendur edhe çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ku ka thënë se qytetarët kosovarë nuk duhet të mbahen peng i këtyre masave që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe nuk i shërbejnë paqes, dialogut dhe as të ardhmes evropiane të rajonit.
“Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike”, theksoi Osmani ndër tjerash.
Sipas Presidencës së Shqipërisë, Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024-korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal.