GJELOSHAJ: HUNGARIA, NJË NGA PARTNERËT MË TË AFËRT TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Hungaria mbetet një nga partnerët më të afërt të Malit të Zi në rrugën evropiane, njoftoi zëvëndëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj.

Ai sot zhvilloi një takim bilateral me ministrin e punëve të jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto, duke konfirmuar partneritetin e fortë dhe shumëvjeçar midis dy vendeve.

Pas takimit bilateral, Gjeloshaj dhe Sijarto mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, mundësitë e përbashkëta të investimeve dhe rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e përkushtimit të përbashkët ndaj vlerave evropiane dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Gjeloshaj theksoi mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Malit të Zi në BE.

“Ne e vlerësojmë thellë mbështetjen e tyre politike dhe teknike që na ndihmon të përputhemi me standardet e BE-së dhe të fuqizojmë institucionet tona,” shtoi Gjeloshaj.

Sijarto nënvizoi tregtinë e fortë bilaterale që ka arritur nivele rekorde, me OTP dhe 4iG që kryesojnë në sektorët e bankave dhe telekomunikacionit.

Ai përsëri konfirmoi mbështetjen e madhe për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe përgëzoi përpjekjet për të mbyllur 6 kapituj deri në fund të vitit.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për potencialet e thellimit të bashkëpunimit në sektorë si infrastruktura dhe transformimi digjital, dhe paralajmëruan nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare G2G në fushën e infrastrukturës, si dhe ndërtimin e një Qendre të të Dhënave.

SHARE