BEGAJ: SHQIPËRIA PO ECËN ME RITËM TË SHPEJTË DREJT INTEGRIMIT EVROPIAN

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u shpreh se samiti i SEECP-së inkurajoi përpjekjet për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit, sipas tij përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai tha se motoja e kryesisë shqiptare të nismës “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane” udhëhoqi këtë proces reflektimi dhe dialogu.

“Diskutimet zhvilluara shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Integrimi mbetet një hap vendimtar drejt një Evrope më të bashkuar e më të sigurt. Potenciali i rajonit për zhvillim është i madh. Procesi pranimit në Bashkimin Evropian është një mjet transformues për nxitjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies”, tha Begaj.

Begaj shtoi se lufta në Ukrainë e ka treguar qartë se paqja, siguria, stabiliteti në Evropën Juglindore janë pjesë e arkitekturës më të gjerë evropiane të sigurisë.

“Shqipëria shpreh shqetësim për tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha ndër të tjera Begaj.

Ai tha se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë drejt integrimit evropian, teksa shtoi se “qëllimi ynë strategjik mbetet mbyllja e procesit të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE deri në vitin 2030”.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Begaj tha se Deklarata e Tiranës e Samitit u votua nga shumica e vendeve anëtare të SEECP-së, por sipas tij u refuzua nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat shtoi ai kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët.

“Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështjet e lidhura me sigurinë”, tha Begaj.

Begaj deklaroi se çështja e sanksioneve ndaj Kosovës është një çështje e padrejtë dhe sipas tij duhej zgjidhur shumë kohë më parë.

SHARE