Ministri i Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Vlladimir Martinoviq, tha se janë gati për parasezon, dhe se po ndërmerren të gjitha aktivitetet që sezoni turistik veror të jetë i suksesshëm.
Parametrat që ka dikasteri, siç bëri të ditur ministri në emisionin “Link”, tregojnë se në maj ka 8 për qind më shumë mysafirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Martinoviq theksoi se treguesit tregojnë se më 16 maj në Mal të Zi kanë qëndruar rreth 40 mijë turistë, që është 20,64 më shumë se në vitin 2019.
Këto të dhëna, nënvizon ministri, japin besimin se do të kemi një sezon turistik të suksesshëm.
“Pritjet tona janë optimiste dhe kemi ndërmarrë hapa të caktuar për zgjidhjen e disa çështjeve”, theksoi ai.
Trupi koordinues për përgatitjen dhe monitorimin e zhvillimit të sezoneve turistike zhvilloi dy seanca.
“Ministria ftoi të gjitha institucionet shtetërore, përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale dhe kompanitë afariste dhe konkludoi që të gjithë bashkërisht t’i drejtojnë përpjekjet e tyre drejt realizimit të planit dhe programit për sezonin turistik veror, të cilin Qeveria e miratoi me propozim të Ministrisë. Në këtë mënyrë çdo qytet do të ketë përfitime. I kam kërkuar të gjithëve që të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin problemet në kuadër të kompetencave të tyre”, tha Martinoviq.