SHQIPTARËT, PAKICA E KATËRT MË E MADHE NË SERBI

Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në këtë vend, Ragmi Mustafi.

Për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit 2022, treguan se shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare – menjëherë pas hungarezëve, boshnjakëve dhe romëve.

Ndryshe nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh.

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e mëparshëm, andaj edhe nuk dihej numri real i tyre.

Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e shqiptarëve përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit të Serbisë në zonën ku jetojnë ata.

Por, përfaqësuesit e shqiptarëve bënë thirrje për regjistrim në procesin që u organizua nga autoritetet e Serbisë, vitin e kaluar.

Mustafi thotë se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, ankohen për diskriminim, por autoritetet serbe e mohojnë një gjë të tillë.

Para fillimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, paralajmëroi për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ku edhe jeton numri më i madh i shqiptarëve.

Me një postim në Tëitter, në janar të vitit 2021, ai nxiti reagimin e deputetes gjermane nga radhët e të Gjelbërve, Viola von Cramon, njëherësh raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, e cila shprehu shqetësimin e saj.

Arifi tha asokohe se pezullimi i vendbanimit, përkatësisht dispozita ligjore e pasivizimit të vendbanimit të një personi që konstatohet se nuk jeton në adresën e regjistruar, zbatohet sistematikisht vetëm për pakicën kombëtare shqiptare.

SHARE