CAKTOHEN DATAT PËR ZGJEDHJET EVROPIANE

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur të mërkurën që zgjedhjet e ardhshme evropiane të mbahet më 6 dhe 9 qershor 2024.

Sipas vendimit, që e ka bërë të ditur Këshilli i BE-së, qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, për mandatin nga viti 2024 deri në vitin 2029.

BE-ja zakonisht cakton një afat katërditor, brenda së cilit, vendet anëtare duhet të mbajnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Pas zgjedhjeve evropiane, pason edhe zgjedhja e Komisionit të ri Evropian, presidentit të Këshillit, dhe funksioneve tjera të larta në institucionet e BE-së. Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, u ka bërë ftesë të mërkurën qytetarëve të BE-së që të dalin në zgjedhje evropiane, të votojnë për kandidatët e tyre dhe të mos lejojnë që dikush tjetër të vendosë në vend të tyre.

“Bashkimi Evropian po zhvillohet pandërprerë. Bota po ndryshon, dhe ne duhet të ndryshojmë me të. Nuk mund të kemi frikë nga ndryshimet. BE-ja nuk është e përsosur. Këtë duhet ta pranojmë, por do të vazhdojmë njëkohësisht të dëgjojmë, sqarojmë dhe të punojmë në arritjen e rezultateve”, ka thënë Metsola, duke i ftuar qytetarët që të jenë “pjesë e aktivitetit më të madh demokratik në Evropë”, duke iu referuar zgjedhjeve evropiane.

SHARE