Bota mund të thyejë limitin kyç të temperaturës për herë të parë, kanë parashikuar shkencëtarët.
Hulumtuesit kanë thënë se ekziston 66 për qind mundësi që temperatura do të kalojë pragun e ngrohjes globale prej 1.5 gradësh Celsius, deri më 2027. Si shkaktarë për një rritje të tillë besohet se janë aktivitetet njerëzore.
Mirëpo, edhe nëse bota e tejkalon këtë limit, shkencëtarët besojnë se mund të jetë e përkohshme.
Një tejkalim eventual do të thotë se bota është 1.5 gradë Celsius më e ngrohtë sesa që ka qenë në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të – para se të dilnin në pah emetimet në epokën industriale.
Temperatura 1.5 gradë Celsius është kthyer në simbol të negociatave për luftim të ndryshimeve klimatike.
Me Marrëveshjen e Parisit, të vitit 2015, shtetet nënshkruese janë pajtuar që të kufizojnë temperaturën globale në 1.5 gradë Celsius.
Tejkalimi i kësaj temperature nënkupton mot të nxehtë, siç janë valët ekstreme të të nxehtit, por edhe stuhi të fuqishme dhe zjarre pyjore.
Megjithatë, tejkalimi i nivelit për disa vjet, nuk nënkupton se është shkelur kufizimi Parisit. Shkencëtarët besojnë se ndryshimet klimatike mund të luftohen ende, duke i kufizuar emetimet e karbonit.