Foto: Boris Pejović
Gjatë ditës së sotme përfaqësues të koalicionit “Plazhi i Madh ose gënjeshtra e madhe”, si dhe ambientalistë, ekspertë ligjorë e aktivistë, të mbledhur në protestën para Kuvendit të Malit të Zi, u kanë kërkuar deputetëve që sot të mos e votojnë në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, që ka të bëjë me turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme.
„Apelojmë që të presin opinionet e Komisionit Evropian, Agjencisë për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit,“ kështu tha drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve, Jovana Janjusheviq, në një protestë para ndërtesës së Kuvendit.
Janjusheviq tha se i gjithë procesi po zhvillohet në mënyrë galopante dhe jo transparente dhe se nuk është i përfshirë as opinioni profesional dhe as komuniteti lokal.
“Në më pak se 20 ditë nga nënshkrimi e kemi në rendin e ditës të Kuvendit, Kuvendi sot nuk vendos vetëm për Plazhin e Madh, por për sovranitetin e vendit. Marrëveshja me të cilën çdo investitor që vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të ketë statusin e investitorit të privilegjuar është problematike. Plazhi i Madh është një nga ekosistemet më të vlefshme që mund të gjejmë në bregdet”, theksoi ajo dhe shtoi se ky vend do të bëhet habitat i “Natura 2000” me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi se edhe Kriporja e Ulqinit është problematike si kriter përfundimtar për mbylljen e kapitullit 27 të negociuar, por edhe se zonat e mbrojtura nuk kanë ndonjë domethënje për kryeministrin Millojko Spajiq dhe deputetët.