PARLAMENTI I SERBISË ZGJEDH QEVERINË E RE TË VENDIT

Foto: albeu

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Serbisë kanë zgjedhur qeverinë e re të vendit të kryesuar nga kryeministri Gjuro Macut.

Deputetët votuan në një votim publik, ku 153 nga 199 deputetë të pranishëm votuan për qeverinë e re të Serbisë, ndërkohë kundër ishin 46 dhe 51 deputetë munguan.

Në fjalën e tij, Macut tha se Serbia është “e lodhur” nga përçarjet dhe protestat, dhe se duhet të punohet “për harmonizimin e shoqërisë, sepse harmonia mund të ndërtohet përmes dialogut, tolerancës, punës dhe ndërtimit të sistemit të vlerave”.

Ai tha se synimi i tij i parë do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve, puna e të cilave është bllokuar prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët.

Në qeveri do të jenë nënkryetari i parë dhe ministri i Financave Sinisha Mali, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ekonomisë Adrijana Mesaroviq.

Qeverinë e re serbe e votuan deputetët e koalicionit qeverisës nga lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet”, Partia Socialiste e Serbisë (SPS), Serbia e Bashkuar (JS), Partia e Pensionistëve të Bashkuar të Serbisë (PUPS), Partia Socialdemokrate e Serbisë (SDP) dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM), ndërsa kundër votuan deputetët e partive opozitare që morën pjesë në seancë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përgëzoi zgjedhjen e qeverisë, duke theksuar se qeveria e re duhet të garantojë “mbizotërimin e rendit juridik në Serbi, që njerëzit të jenë krenarë për vendin e tyre në çdo kuptim”. Në seancën e parlamentit serb nuk morën pjesë deputetët e koalicionit NADA dhe Partia Demokratike.

SHARE