Autoritetet serbe kanë ndaluar sot autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Autobusët me qytetarë kanë filluar të qarkullojnë pas disa orësh.
Autoritetet në Prishtinë, u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.
“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar vendet e Quintit për këtë situatë të pazakonte dhe është në pritje të një reagim.
Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.
“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.
Për ngjarjen ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian Viola Von Cramon.
“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lejoj qytetarët me pasaporta dhe letërnjoftim të Kosovës që të kalojë kufirin e Batrovcit! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Këshill të Evropës, ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që nga orët e mbrëmjes të së martës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.