DUKAJ: REFORMA E SISTEMIT TË QEVERISJES VENDORE DUHET TË SHKOJË NË DREJTIM TË DECENTRALIZIMIT

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj hapi sot tryezën e rrumbullakët me titull “Decentralizimi në Mal të Zi – ku jemi dhe ku duhet të jemi?” organizuar nga Unioni i Komunave të Malit të Zi.

Dukaj theksoi se kjo është një mundësi për të shkëmbyer njohuri dhe ide që do të sjellin kualitet të ri në të menduarit për aktivitete për reformimin e mëtutjeshëm të sistemit të vetëqeverisjes lokale.

“Ajo reformë duhet të bazohet në përmirësimin e decentralizimit, sepse Analiza e funksionimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale, të cilën e përfunduam së fundi, tregoi se Mali i Zi është një shtet i centralizuar, jo vetëm në raport me rajonin, por edhe më gjerë. Gjatë përgatitjes dhe zbatimit të analizës, ne kemi vërejtur sfida të bazuara në prova dhe fakte”, tha ministri Dukaj.

Ai theksoi se Këshilli i Evropës, në Raportin e tij për zbatimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në Mal të Zi, kishte të njëjtat vlerësime dhe rekomandime që i përmban vetë Analiza.

Në atë pjesë janë të qarta rekomandimet se në cilin drejtim duhet të reformohet sistemi i vetëqeverisjes lokale.

Kjo kërkon që decentralizimi të zbatohet me kujdes, hap pas hapi, në përputhje me nevojat konkrete të komunitetit.

“Rekomandimet e Analizës ndër të tjera i referohen përmirësimit të kornizës normative për funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale, e cila është e një rëndësie kyçe. Kjo është arsyeja pse aktualisht po punohet me shpejtësi në hartimin e Ligjit të ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili do të trajtojë një numër të madh sfidash në një mënyrë të re, në përputhje me të gjeturat e Analizës dhe në përputhje me standardet evropiane”, tha ministri.

Dukaj shtoi se me këtë Ligj po mendohet në drejtim të futjes së decentralizimit të kompetencave për fushat kyçe që janë të rëndësishme për punën dhe kryerjen e funksioneve të vetëqeverisjes lokale, si arsimi, shëndetësia, planifikimi hapësinor e të tjera.

“Ky është një proces në të cilin ne të gjithë kemi vendin dhe përgjegjësinë tonë, kemi edhe mbështetjen e fortë të partnerëve ndërkombëtarë, të cilin në këtë moment duhet ta arsyetojmë dhe ta ruajmë me përfshirjen tonë. Qëllimi ynë i përbashkët është që të angazhohemi plotësisht dhe të përgatisim të gjitha vetëqeverisjet lokale në Mal të Zi për të marrë me sukses zbatimin e plotë të ligjit të BE-së, kur Mali i Zi të bëhet pjesë e komunitetit evropian”, theksoi Dukaj.

SHARE