MALI I ZI MIRATON LIGJ TË RI PËR MBROJTJEN E AJRIT, DREJT NDOTJES ZERO DERI NË 2050

Foto: Radio Titograd

Qeveria e Malit të Zi ka përgatitur një Ligj të ri për Mbrojtjen e Ajrit, i cili parashikon një sistem më të rreptë kontrolli të ndotjes, kompetenca të qarta për institucionet dhe masa për reduktimin e emetimeve të dëmshme, me qëllim arritjen e ndotjes zero dhe një mjedis më të shëndetshëm deri në vitin 2050.

Ligji i ri përfshin një sistem gjithëpërfshirës menaxhimi të cilësisë së ajrit, përfshirë monitorim të avancuar, masa për uljen e ndotjes nga burime të ndryshme – industri, automjete, anije dhe avionë – dhe përgjegjësi të qarta për institucionet shtetërore.

Ministria e Mjedisit do të koordinojë strategjinë kombëtare dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit do të monitorojë zbatimin e planeve të veprimit dhe të informojë publikun, ndërsa Qendra për Kërkime Ekotoksikologjike do të menaxhojë monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së ajrit. Ligji parashikon gjithashtu masa për bizneset që ndikojnë në cilësinë e ajrit, duke përfshirë marrjen e lejeve për emetimin e ndotjes dhe detyrimin për masa teknike reduktuese.

Shkelësit e rregullave do të gjobiten: për personat juridikë nga 2.000 deri 40.000 euro, dhe për përgjegjësit e firmave nga 500 deri 4.000 euro.

Publiku do të ketë qasje në informacionet për cilësinë e ajrit, përfshirë indeksin e cilësisë së ajrit, dhe do të ketë të drejtën të sfidojë vendimet e institucioneve përpara gjykatës nëse ligji shkelet. Ligji i ri hyn në fuqi tetë ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, duke zëvendësuar ligjin aktual të vitit 2010.

SHARE