Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq ka deklaruar se nëse nuk ka vullnet politik në institucionet për miratimin e listave të hapura zgjedhore, do të propozojë shpalljen e referendumit për këtë çështje.
Në konferencën “Reforma Zgjedhore në Mal të Zi: Si ta bëjmë procesin zgjedhor funksional?”, organizuar nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), Millatoviq tha se futja e listave të hapura do të ishte një goditje për partitokracinë.
“Kushtetuta e parasheh qartë ushtrimin e drejtpërdrejtë të pushtetit dhe një zgjedhje e tillë, e cila është e paraparë qartë me Kushtetutë, tani ekziston vetëm gjatë zgjedhjeve presidenciale”, tha ai.
Siç tha ai, nëse Kushtetuta e njeh qytetarin si bartës të sovranitetit, atëherë është obligim i politikanëve që atë pushtet t’ua kthejnë qytetarëve gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale.
“Listat e hapura janë përmbushje e një të drejte kushtetuese që u takon qytetarëve”, theksoi Millatoviq.
Ai theksoi se qytetarët nuk kanë më kohë për të pritur dhe se duan demokraci të vërtetë dhe të përcaktuar me Kushtetutë.
“Nëse institucionet nuk kanë vullnet politik që përfundimisht të kalojnë nga fjalët në veprime dhe të miratojnë lista të hapura zgjedhore, unë do të paraqes propozimin për shpalljen e referendumit dhe për t’u dhënë qytetarëve mundësinë që të vendosin vetë për të ardhmen e sistemit tonë zgjedhor”, tha Millatoviq.
Siç tha ai, ata që kundërshtojnë listat e hapura duhet të dalin para qytetarëve dhe të shpjegojnë pse mendojnë se qytetarët nuk duhet të votojnë drejtpërdrejt.
“Ky është momenti për të vendosur nëse do ta hapim sistemin politik apo do ta lëmë të bllokuar në kornizën e vjetër”, ka theksuar presidenti i Malit të Zi.