Foto: AP
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tri kërkesa, duke kërkuar që të vendosë për rivotimin me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Sipas Ligjit për zgjedhjet, PZAP pasi pranon ankesën ka afat që brenda 96 orëve të vendosë për të.
Blerim Sallahu nga LVV-ja pretendoi se në votimin me postë ka pasur manipulime dhe keqpërdorime, që sipas tij, janë orkestruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“Ne kemi kërkuar nga PZAP-ja që fillimisht të anulohen 18.933 vota të LDK-së të kontaminuara, të ardhura në formë të manipuluar. Nën dy, kemi kërkuar rivotim me postë dhe nën tre kemi kërkuar që kandidatët të cilët kanë marrë vota pakrahasimisht më shumë me postë sesa në vendvotime në Kosovë, të largohen nga lista dhe të njëjtit të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë të LDK-së”, tha ai në një paraqitje për media pas dorëzimit të ankesës.
Nga LDK-ja ende nuk ka një reagim pas dorëzimit të kësaj ankese të LVV-së në PZAP.
LVV-ja edhe më herët kishte kërkuar nga Paneli që të urdhëronte rinumërimin e votimit përmes postës, por Paneli kishte argumentuar se një kërkesë e tillë ishte dorëzuar pas afatit ligjor, i cili ishte 48 orë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.