Foto: AA
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, raporton Anadolu.
Në takimin e parë zyrtar në Zyrën e Kryeministrit, Kurti e uroi për rolin e ri Sorensenin duke e njoftuar atë me zhvillimet e fundit në vend dhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.
Kryeministri kërkoi nga emisari Sorensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës.
Kurti theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së.
Gjithashtu Kurti dhe Sorensen në këtë takim diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara të këtij procesi. Lidhur me këtë çështje, Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
– “Qëllimet janë që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara”
Në një adresim të shkurtër për media pas takimit me Kurtin, Sorensen ka deklaruar se procesi i dialogut ka sjellë me vete shumë zhvillime në të cilat duhet punuar.
“Qëllimet janë që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Tani qëllimi për mua është që të flasë me njerëz dhe të shoh qëndrimet e tyre. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por po ashtu më duhet të shkoj në Beograd. Pasi të zhvilloj këto bisedime unë do të ulem dhe të shoh se ku jemi. Ne duhet të punojmë dhe sigurohemi që qytetarëve t’ju ofrohen shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë”, ka thënë ai.