CAMAJ: DO TË INICIOJ NJË HETIM PARLAMENTAR DHE REZOLUTË PËR VUAJTJET E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj ka përshëndetur marrëveshjen mes kryeministrit Millojko Spajiq dhe opozitës, e cila po rikthehet në bankat parlamentare.

Megjithatë, ai theksoi se nuk ndodhi asgjë spektakolare.

“Oferta në kolegjiumin e fundit në Parlamentin e Malit të Zi ishte pikërisht dërgimi i kërkesës në Komisionin e Venecias për interpretim të vendimit për pensionim të një gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë rezultat spektakolar, asgjë të veçantë, asgjë të re në atë marrëveshje”.  

Ai shtoi se mendimin e Komisionit të Venecias duhet ta marrin rreth dhjetë ditë pas dorëzimit të kërkesës. Duke komentuar arrestimin e deputetit Ivan Vukoviq në Beograd, Camaj tha se pajtohet me vlerësimin e kryeministrit se nuk duhet të ndërhyhet në punët e brendshme të vendeve të tjera.

“Kur vizitojmë vende të tjera, duhet të kemi kujdes se si sillemi sepse në fund të fundit jemi politikanë dhe përfaqësues të parlamentit. Ne duhet të respektojmë rregullat e atyre vendeve,” është shprehur nënkryetari Camaj.

Duke folur për dhënien me qira të plazheve në Ulqin, Camaj ka vlerësuar se tenderi ka përfunduar në mënyrë mjaft të pranueshme.

“Tashmë kemi informacione se ata që menaxhuan plazhet do të vazhdojnë t’i menaxhojnë. Çmimet janë çështje tjetër,” tha nënkryetari i Kuvendit.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të reagojnë ndaj një thirrjeje të mundshme të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, që partitë shqiptare të largohen nga Qeveria nëse nuk anulohet tenderi për dhënien me qira të plazheve, Camaj u shpreh:

“Unë mendoj se partitë shqiptare duhet të bashkëpunojnë. Duhet të rishikojmë edhe marrëdhëniet mes koalicioneve nga e kaluara, nëse dikush mund të ftojë dikë tjetër, nëse kanë lënë vend për këtë. Lideri i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj ishte i pari që e ofroi këtë mundësi, ndaj ata u përgjigjën se nuk do t’u shkonte mendja të rishqyrtonin pjesëmarrjen në qeveri”.

Camaj përsëriti se do të iniciojë një hetim parlamentar për “Fluturimin e Shqiponjës”:

“Qëllimi ynë është të qartësojmë gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën. Të dihet se ku i ka bërë të padrejtë shteti shqiptarëve. Kemi edhe një Rezolutë për vuajtjet e shqiptarëve në Mal të Zi. Të shprehim respekt për viktimat e pafajshme”.

Kur bëhet fjalë për dyshtetësinë dhe gjuhën zyrtare, zgjidhja e këtyre çështjeve duhet të presë kohë më të mira, mendon Camaj.

“Aktualisht nuk janë kushtet për të arritur një konsensus për këtë çështje. Ne kujdesemi për zgjidhjen e këtyre çështjeve me opozitën. Mendoj se nuk do të dëmtonte Malin e Zi nëse të gjitha gjuhët në përdorim do të bëheshin zyrtare. Kjo nuk u kushton asgjë, vetëm e pasuron shtetin”, ka theksuar Camaj.

SHARE