Foto: Reuters
Dialogu dhe kërkimi i kompromisit janë rruga evropiane dhe sjellin zgjidhje të qëndrueshme afatgjata, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos.
Ajo tha se është e mrekullueshme të shohësh që qeveria dhe opozita në Mal të Zi e kanë pranuar këtë.
“Duke lënë mënjanë dallimet për t’u fokusuar në përshpejtimin e reformave në lidhje me Bashkimin Evropian, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, shtoi Kos.
Kryetari i Lëvizjes „Evropa Tani“, Millojko Spajiq dhe përfaqësuesit e opozitës nënshkruan të shtunën një marrëveshje me të cilën ranë dakord që brenda shtatë ditëve të ardhshme t’i paraqesin një kërkesë për mendim Komisionit të Venecias (KV) lidhur me procedurën për përcaktimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese.
Kështu ka bërë të ditur Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, ku me iniciativë të ambasadorit Johan Sattler është mbajtur takimi në të cilin është nënshkruar marrëveshja.
Shefi i Delegacionit të BE-së në Podgoricë, Johan Sattler, tha se Bashkimi Evropian pret që qeveria dhe opozita të zbatojnë në vazhdimësi marrëveshjen e nënshkruar, në interes të së ardhmes evropiane të Malit të Zi.
Ambasadori gjerman në Mal të Zi, Peter Felten, tha se marrëveshja e nënshkruar duhet të jetë bazë për vazhdimin e punës normale të parlamentit dhe rinovimin e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës.
Marrëveshja me Spajiqin është nënshkruar nga kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) Danijell Zhivkoviq, një nga liderët e Aleancës Evropiane Damir Shehoviq dhe kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate Adrijan Vuksanoviq.