Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 11 qershor të këtij viti.
“Duke zbatuar nenin 92, paragrafin 5, mora vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për 11 qershor”, tha Gjukanoviq në një konferencë për media.
Ai tha se i është përmbajtur me vendosmëri Kushtetutës.
“Thirrjes për konsultime nuk iu përgjigjën liderët që pretendonin se kishin shumicën e nevojshme. Prandaj edhe sot, sikur edhe atëherë, jam i bindur se zgjidhja më e mirë është shkurtimi i mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”, tha Gjukanoviq.
Ai shtoi se si president ka kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venecias.
“Dihet se përfundoi përpjekja e Miodrag Lekiqit për të formuar qeverinë, e cila vërtetoi se nuk kishte shumicë dhe nuk ka sot”, tha presidenti.