Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kritikuar faktin që Parlamenti ka shtyrë sërish votimin për zgjedhjen e gjyqtarit Predrag Krstonijeviq në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse seanca e jashtëzakonshme ishte thirrur pikërisht për këtë çështje.
Millatoviq thekson se kjo është një pengesë serioze për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është kyçe për stabilitetin e sistemit ligjor dhe për përparimin në integrimet evropiane, sidomos në kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga Kabineti i tij u bë e ditur se procedurat e nevojshme janë përmbushur, konkursi është shpallur dhe kandidati më i mirë është propozuar, madje është thirrur edhe seancë e jashtëzakonshme për votim, por deputetët nuk kanë vepruar.
Millatoviq thekson se përgjegjësia tani është tek deputetët dhe partitë e tyre.
Gjithashtu vuri në dukje se Parlamenti mund të marrë vendime shpejt kur i shërbejnë interesave të deputetëve, por kur bëhet fjalë për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duket se deputetët nuk e konsiderojnë si prioritet sundimin e ligjit, respektimin e Kushtetutës dhe integrimin evropian.
Millatoviq nënvizoi se zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të përfundojë pa vonesa të tjera, duke qenë një detyrë ndaj sistemit ligjor, qytetarëve dhe objektivit strategjik që Mali i Zi të bëhet një shtet evropian i rregulluar, i bazuar në sundimin e ligjit.









