LIDERËT EVROPIANË MBLIDHEN NË TAKIM URGJENT PËR UKRAINËN

Foto: KosovaSot

Udhëheqësit evropianë mblidhen sot në një takim urgjent për të diskutuar luftën trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

Takimi në Paris vjen në përgjigje të shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do ta negociojnë vetë fundin e luftës, duke lënë mënjanë Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë.

Udhëheqësit evropianë pritet të prezantojnë një front të bashkuar dhe të diskutojnë propozime të reja për mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë evropiane.

“Duket se është një grup i vendeve të BE-së që e kanë të qartë se nuk do të jenë pjesë e një marrëveshjeje të projektuar keq dhe të nxituar nga [presidenti amerikan, Donald] Trump, dhe që janë të përqendruara në vazhdimin e mbështetjes së tyre për Ukrainën”, thotë Majda Ruge, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me qendër në Berlin.

Shqetësimet në Evropë u rritën pasi Keith Kellogg, i dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, tha më 15 shkurt se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet e paqes.

Në të njëjtën ditë u bë e ditur se zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen këtë javë në Arabinë Saudite, për të filluar bisedimet për përfundimin e luftës – pa vetë Ukrainën.

Megjithatë, Trump tha më 16 shkurt se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “do të përfshihet” në bisedimet për paqe.

Zyra e presidentit francez bëri të ditur se Macroni ka biseduar me Trumpin 20 minuta para nisjes së samitit.

Vetëm disa ditë më parë, ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Uashingtoni nuk është më “i fokusuar në radhë të parë” në sigurinë e Evropës.

Këto deklarata shkaktuan alarm dhe bënë që liderët evropianë të kërkojnë përgjigje ndaj asaj që e shohin si qasje të njëanshme të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zyrtarët evropianë paralajmëruan se një marrëveshje paqeje ose armëpushimi e dakorduar me nxitim, do të minonte Ukrainën dhe sigurinë më të gjerë evropiane.

Evropa është mbështetësja më e madhe financiare e Ukrainës.

Me përjashtim të Hungarisë dhe Sllovakisë, vendi në luftë ka përkrahje të gjerë në kontinent.

SHARE