Foto: Klan Kosova
Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos tha se Mali i Zi dhe Shqipëria janë kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke shtuar se ata mund të përfundojnë procesin e negociatave deri në fund të vitit 2026 ose 2027.
Kos në Konferencën e Sigurisë në Mynih deklaroi se Maqedonia e Veriut mund të jetë “në rrugën e duhur shumë, shumë shpejt”.
Kos, e cila është Komisionere Evropiane që nga viti i kaluar, theksoi se ajo mund të përfundojë dy deri në tre procese negociuese për anëtarësim deri në fund të mandatit të saj.
Megjithatë, përfundimi i negociatave nuk do të thotë se këto vende mund të anëtarësohen menjëherë në BE.
Një parakusht për këtë është që të gjithë anëtarët e BE-së të pajtohen me traktatet e anëtarësimit të negociuara nga Komisioni Evropian dhe më pas t’i ratifikojnë ato. Kos tha se e kupton zhgënjimin për negociatat ndonjëherë të gjata.
“Ne tashmë jemi duke e përshpejtuar procesin, veçanërisht me Ukrainën. Në BE tani po punojmë dy deri në tre herë më shpejt, por duhet të dallojmë pjesën teknike të procesit nga ajo politike,” theksoi Kos.
Gjithashtu, ajo theksoi se politikisht asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të realizohet pa vullnetin e shteteve anëtare.