GJELOSHAJ: DERI NË FUND TË MUAJIT DO TË RISHQYRTOJMË NËSE DO TË MBETEMI NË QEVERI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryesia e Forumit Shqiptar do të vendosë deri në fund të shkurtit nëse kjo aleancë politike do të mbetet në Qeverinë e Millojko Spajiq apo do të largohet prej saj, tha lideri i Forumit Shqiptar, zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.

Shkak për këtë lëvizje, siç thotë ai, janë vendimet e fundit të Qeverisë.

Partitë shqiptare janë shprehur të pakënaqur për tenderin e shpallur për dhënien me qira të plazheve dhe se Ulqini do të jetë më i prekur nga ai.

Kryetarët e partive shqiptare e përkrahën protestën e tri shoqatave nga Ulqini sepse, siç thanë ata, rritja drastike e lokacioneve dhe objekteve komerciale për 300 për qind është sulm i drejtpërdrejtë dhe rrezikon bizneset e qiramarrësve, rrit çmimet e shërbimeve turistike dhe rrezikon sektorin e turizmit të Ulqinit dhe Malit të Zi.

“Javën e kaluar kam pasur konsultime me kryetarët e dy partive të tjera që përbëjnë Forumin Shqiptar, Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha. Ne ramë dakord që seanca e kryesisë së Forumit Shqiptar të mbahet deri në fund të muajit. Do të ketë vendime të mëdha për Forumin Shqiptar dhe popullin shqiptar dhe një nga pikat e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i pjesëmarrjes në Qeveri”, tha Gjeloshaj për CDM.

Siç ka theksuar Gjeloshaj, është në komunikim të përditshëm me kryetarin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka.

“Ne kemi një marrëveshje që çdo vendim në lidhje me veprimet e mëtejshme politike të jetë unik në emër të dy subjekteve, Forumit Shqiptar dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, me qëllim të bashkimit dhe forcimit të faktorit shqiptar në skenën politike të Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.  

SHARE