CAMAJ URON KOSOVËN PËR FESTËN E PAVARËSISË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj ka uruar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufci, qytetarët e qytetaret 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë.

“Kjo datë e rëndësishme simbolizon aspiratën për liri, zhvillim demokratik dhe forcimin e institucioneve që janë themeli i stabilitetit dhe përparimit të vendit tuaj”, tha Camaj në urimin e tij.

Ai tha se Mali i Zi dhe Kosova ndajnë lidhje të thella historike dhe kulturore dhe se ndër vite kanë ndërtuar një partneritet të fortë të bazuar në respektin reciprok, bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë dhe një vizion të përbashkët për një të ardhme evropiane.

“Në kuadër të ndërtimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ne shqiptarët kemi dhënë një kontribut të pamatshëm në afirmimin e këtyre marrëdhënieve, duke u përpjekur vazhdimisht për mirëkuptim reciprok, duke forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe duke promovuar vlerat e bashkëjetesës dhe stabilitetit rajonal”, vlerëson Camaj.

Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik si për Kosovën ashtu edhe për Malin e Zi dhe se është obligim i të gjithëve që të mbështesin njëri-tjetrin në këtë rrugë.

Camaj tha se beson se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës do të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e miqësisë dhe mbështetjes reciproke, me qëllim të forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në mbarë rajonin.

“Ne mbështesim fuqishëm të gjitha nismat që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe kulturor mes vendeve tona, të bindur se me përpjekje të përbashkëta mund të përmirësojmë më tej cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të krijojmë ura edhe më të forta miqësie”, tha nënkryetari Camaj.

SHARE