MALI I ZI DUHET TË KETË NJË DOKUMENT QË DO TË TREGOJË TË GJITHA RREZIQET E FATKEQËSIVE

Mali i Zi, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të ketë një dokument që do të tregojë të gjitha rreziqet e fatkeqësive që mund të rrezikojnë njerëzit, pasuritë materiale dhe kulturore, si dhe mjedisin.

Kështu u bë e ditur në Takimin e katërt Teknik të Vlerësimit të Menaxhimit të Riskut të Malit të Zi, i cili u organizua nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviq, në fjalën e tij hyrëse, kujtoi përmbytjet në Mal të Zi që shkaktuan dëme dhe në të cilat humbi jetën një person.

Ai iu referua gjithashtu tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, në të cilin vdiqën më shumë se 40,000 njerëz.

“Mendoj se tani i kushtohet pak më shumë vëmendje sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit dhe veçanërisht këtyre dokumenteve të rëndësishme që ne përgatisim. Shpresoj se vendimmarrësit dhe opinioni e kanë kuptuar rëndësinë e të gjitha aktiviteteve tona dhe se përgatitja e këtij dokumenti është shumë e rëndësishme për sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit në Mal të Zi”, tha Beshoviq.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e punës në Vlerësimin e Aftësisë për Menaxhimin e Riskut, si dhe u diskutua përmbledhja që duhet t’i dërgohet Komisionit Evropian.

SHARE