Humanizmi është e vetmja – do të shkoja aq larg sa të thosha rezistenca përfundimtare – që kemi ndaj praktikave dhe padrejtësive çnjerëzore që shpërfytyrojnë historinë njerëzore – Edward Said.
Si figurë intelektuale, Edward Said është pak i njohur në mesin e popullit shqiptar dhe në gjuhën shqipe janë botuar vetëm dy nga veprat kryesore të tij, libri “Orientalizmi” (Orientalism) dhe “Shtrembërimi i Islamit” (Covering Islam).
Veprat tjera, sipas njohurive të mia, nuk janë ende të përkthyera në gjuhën shqipe.
Revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale ka botuar përkthime të artikujve apo pjesëve të librave të Said-it që nga viti 2008 e deri më sot.
Me rastin e vdekjes së Said-it, revista URA botoi homazh nga Olsi Jazixhi që në tërësi mund ta gjeni KËTU.
Si rrjedhojë e pushtimit të vendit të tij nga britanikët dhe më pas izraelitët ai u detyrua që në rini të hershme të largohet nga vendi i tij. Në vitin 1947 ai vendoset në Egjipt, ku ndoqi Shkollën Amerikane të Kajros, dhe më pas Kolegjin Viktoria. Gjatë studimeve në Kolegjin Viktoria ai pati rastin të ketë për shokë njerëz me famë të botës arabe, si mbretin Hussein të Jordanisë dhe aktorin Omar Al-Sharif. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare Edward Saidi largohet nga Egjipti për në SHBA, ku në vitin 1957 mbaroi studimet universitare në Universitetin e Prinstonit. Në vitet 1960 dhe 1964 ai mbrojti magjistraturën dhe doktoratën pranë Universitetit të Harvardit për gjuhë dhe letërsi angleze.
Edward Saidi ashtu si edhe miku i tij ende i gjallë, Noam Chomski, janë kthyer në simbolin e rezistencës intelektuale të njeriut të shekullit tonë ndaj padrejtësive që popujt e botës së tretë kanë pësuar dhe pësojnë si pasojë e arrogancës së botës së zhvilluar dhe dominuese perëndimore. Shkrimet kritike të Saidit kundër imperializmit modern, hegjemonisë kulturore të perëndimit në botë, shkatërrimit të kulturave lokale dhe zhanrit të shkencës së orientalizmit që perëndimi ka ndërtuar për të studiuar dhe dominuar Orientin kanë çuar interes mes mijëra lexuesish në botë. Librat e Saidit si “Orientalizmi”, “Kultura dhe Imperializmi”, “Shtrembërimi i Islamit” etj. kanë qenë disa nga veprat e shumta analitike dhe inspiruese që Saidi i ka lënë botës sonë. Saidi ishte përshkruar nga gazetari Robert Fisk si “zëri më i fuqishëm politik” i popullit palestinez. Sidoqoftë, ai gjithashtu kritikoi regjimet arabe dhe muslimane të cilët vepronin kundër interesave të popullit të tyre.
Një nga kryeveprat e Saidit që ka tronditur thellësisht shkencat sociale/historike perëndimore që merren me studimin e popujve të Lindjes është botuar në vitin 1978. Libri “Orientalism” (Orientalizmi) në të cilin Saidi analizonte zhvillimin e shkencës së orientalizmit në perëndim, pretendimet shkencore të kësaj shkence dhe ndikimet kolonialiste.. Në librin Orientalizmi, Edward Saidi arrin të bindë lexuesin për mentalitetin abuziv që shumë orientalistë kanë punuar në të kaluarën dhe përdorin edhe në ditët tona kur merren me studimin e popujve të Orientit. Paterni mendues “ne” dhe “ata” dhe përjashtues si të pranueshëm për njerëz që shumë orientalistë i bëjnë lindorëve është motivi kryesor i Saidit, në analizën që ai i jep orientalistëve dhe zhanrit të tyre.
Punime të tjera me famë të Edward Saidit të cilat publiku shqiptar duhet të lexojë janë libra si “Culture and Imperialism” (Kultura dhe Imperializmi) 1985, shkrime si “Zhan-Pol Sartre dhe Arabët”, “Islami, Orientalizmi dhe Perëndimi: Një sulm kundër injorancës së mësuar”, “Islami i Cilit?”, “Sionizmi nga këndvështrimi i viktimave të tij” etj. Shkrimet e Saidit janë botuar në gazetat nga më në emër në perëndim dhe lindje, që nga New York Times, te Al-Ahrami egjiptian dhe Le Monde Diplomatique në Francë. Pena saidiane kundër orientalizmit dhe trajtimin racist që ai i bënte popujve të Lindjes ka ndikuar jashtë mase edhe në punimin e historianes amerikane Katherine Fleming në librin që ajo i ka kushtuar Ali Pashë Tepelenës me titull:“The Muslim Bonaparte” (Bonaparti Musliman).
Aktivizimi i Edward Saidit nuk ka qenë vetëm letrar. Ai ka qenë aktiv për një kohë të gjatë edhe në organizimin e vetë Kongresit Kombëtar Palestinez. Edhe pse aty nuk pati ndonjë rol të veçantë dhe shpesh shikimet e tij kanë rënë ndesh me ato të Arafatit, Saidi i dëshmoi kohës largpamësinë e tij politike gjatë Marrëveshjes së Oslos më 1993, kur ky i fundit e shihte atë me pesimizëm.
Veprat e tij letrare të përmendura më lart kanë qenë të afta të prekin shumë mendje në të gjitha anët e globit tonë dhe të krijojnë perceptime të tjera për shumë “ekspertë”, “gjykime” dhe “vendime” që perëndimi ka ndërmarrë dhe merr kundër popujve të botës së tretë dhe asaj arabe në veçanti. Shkrimet e Saidit kanë shërbyer si ushqim inspirues për shumë shpirtra të çoroditur të kohëve tona moderne. Për këtë arsye ky shkrim pretendon të jetë një përkujtues modest mes publikut shqiptar për largimin e këtij gjeniu palestinez, i cili fatkeqësisht në arenat tona njihet shumë pak.
Olsi Jazixhi ka bërë përmbledhje të qëlluar të jetës dhe veprës së Saidit. Megjithatë, në tekstin integral ka fjali të tipit “edhe pse krishterë Saidi shkroi në mbrojtje të Islamit” që nuk janë konform me mesazhin saidian. Edward Said nuk ka vepruar nga pozita e identitetit fetar (krishterë apo ndonjë tjetër) por nga bindja në qëndrimet e tija humaniste.
Në shqip, mund të lexoni shkrimin e Haki Sahitit Një hyrje në orientalizmin e Edward Saidit (analizë e detajuar e strukturës së librit Orientalizmi) dhe të Gëzim Selacit me titull Orientalizmi sot: a është orientalizmi i Said-it kritikë e vlefshme për analiza në botën e globalizuar? (shkrim që, mes tjerash, tregon për fërkimet e Saidit me Përplasjen e qytetërimeve të Samuel Hantingtonit dhe me orientalistin amerikanë bashkohorë Bernard Lewis)
Në fund të kësaj pjese hyrëse, bashkëngjitur mund të gjeni bisedën e Tarik Aliut me Eduard Said-in, në kohën kur Saidi u diagnostifikua me leukemi dhe mendonte se do të vdiste. Fatmirësisht, Said do të jetonte deri në vitin 2003, ku në moshën 67-vjeçare u nda nga jeta.