GJELOSHAJ: DEBATI PUBLIK PËR PROJEKTLIGJIN MBI KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE DO TË FILLOJË MË 25 JANAR

Debati publik për Projektligjin mbi Komunikimet Elektronike do të fillojë më 25 janar, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.

“Për të informuar publikun në kohën e duhur, Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të bëjë një ftesë publike në datën 25 janar 2024 për autoritetet, organizatat, shoqatat dhe individët që t’i bashkohen diskutimit publik dhe të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së tekstit të Projektligjit mbi Komunikimet Elektronike. Debati publik do të bëhet me paraqitjen e vërejtjeve, propozimeve dhe sugjerimeve në formë të shkruar dhe elektronike, si dhe me organizimin e një tryeze të rrumbullakët”, tha Gjeloshaj.

Sipas tij, ligji i propozuar do të jetë plotësisht në përputhje me ligjet e BE-së dhe praktikat më të mira evropiane, veçanërisht me direktivën e BE-së 2018/1972/Kodi Evropian i Komunikimeve Elektronike të BE-së (EECC).

„Projektligji do të përgatitet në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, përfshirë Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe Shërbime Postare, si dhe përfaqësues të operatorëve dhe sektorit joqeveritar”, përfundoi Gjeloshaj.

SHARE