RRITJE E INFEKSIONEVE RESPIRATORE, ISHP INKURAJON VAKSINIMIN DHE MASAT PARANDALUESE

Foto: Ilustrim

Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi njofton se, për shkak të periudhës së vitit dhe aktivitetit të hershëm dhe më intensiv të virusit të gripit, pritet rritje e numrit të rasteve të infeksioneve respiratore akute.

Rreziku më i madh për sëmundje të rënda dhe hospitalizim vjen te personat mbi 65 vjeç, fëmijët nën 5 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Sezona e gripit ka nisur tre deri katër javë më herët se dy vitet e fundit, me virusin A (H3N2) si më i shpeshti, duke prekur kryesisht fëmijët e moshës shkollore. Infeksionet nga RSV kanë shënuar një rënie të lehtë, ndërsa viruset që shkaktojnë COVID-19 po bien vazhdimisht.

Vaksinimi kundër gripit sezonal filloi më 20 tetor në të gjitha qendrat shëndetësore. Deri në mes të dhjetorit janë vaksinuar 19.500 persona, shifra më e lartë në pesë vitet e fundit.

Vaksinimi synon mbrojtjen e të rrezikuarve dhe zvogëlimin e rrezikut për forma të rënda të sëmundjes.

Përveç vaksinës, Instituti rekomandon masa të përgjithshme parandaluese: përdorimin e maskave, ventilimin e rregullt të ambienteve, shmangien e kontakteve të afërta me të sëmurët, larjen e duarve dhe shmangien e grumbullimeve në ambiente të mbyllura.

SHARE