Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomika i Qeverisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, nga Brukseli tha se këto ditë po shkruhet historia e vendit në procesin e integrimit evropian.
Ai theksoi rëndësinë e hapave të fundit në përmbushjen e obligimeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmirësimin e standardeve për qytetarët.
“Sot kemi bërë një hap të madh në procesin e anëtarësimit. Lirisht mund t’u them qytetarëve tanë nga Brukseli: gëzohuni. Jemi më afër Evropës, Brukseli është më afër Podgoricës. Vazhdojmë të punojmë,” tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se optimizmi i qeverisë tashmë po shndërrohet në rezultate konkrete.
“Kemi rezultate dhe do të vazhdojmë përpara. I ftojmë të gjithë, edhe në Kuvend, sektorin e OJQ-ve dhe gjithë qytetarët, që të jenë mbështetje e këtij procesi. Ky është një proces që duhet ta përfundojmë të gjithë së bashku. Kemi plane të mëdha për vitin e ardhshëm dhe besojmë se do t’ia dalim, sepse duam dhe jemi të gatshëm të punojmë,” theksoi Gjeloshaj.









