Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzionet mbi procesin e zgjerimit të BE-së, duke bërë thirrje për përshpejtimin e reformave në Kosovë.
Vendi mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit, pavarësisht aplikimit në dhjetor 2022.
BE-ja thekson nevojën për përparim në forcimin e administratës publike, sundimin e ligjit, konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, ku ende nuk është shënuar progres.
Përparim ka pasur në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve.
Këshilli i BE-së u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të zbatojnë marrëveshjet me Serbinë, duke përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.
Pritet që të punohet në riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha nivelet institucionale.
Draft-konkluzat e BE-së përmendin gjithashtu heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, vendime që janë diskutuar në Bruksel, por pritet që heqja e tyre të mos realizohet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Masat kanë shkaktuar humbje financiare prej rreth 613 milionë eurosh.
BE-ja inkurajon Kosovën të vazhdojë dialogun me Serbinë, duke zbatuar të gjitha zotimet e Marrëveshjes për normalizim të vitit 2023 dhe marrëveshjet e mëparshme, pa vonesa dhe parakushte.








