Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi është një anëtar i besueshëm i NATO-s dhe do të forcojë praninë e tij në Aleancë duke emëruar së shpejti një ambasador në këtë organizatë, u bë e ditur pas takimit të kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Spajiq theksoi se Mali i Zi po bën hapa historikë në rrugën e tij evropiane.
„Kjo na bën një anëtar edhe më të besueshëm të NATO-s. Prandaj, Mali i Zi nuk është vetëm një partner shumë i besueshëm i NATO-s – në vitin 2024 do të kalojmë 2.0 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Kontributi ynë në misionet në Letoni, Bullgari dhe Kosovë tregon se, megjithëse i vogël, Mali i Zi kontribuon aktivisht në forcimin e mbrojtjes kolektive,“ tha kryeministri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte vlerësoi përpjekjet e Malit të Zi brenda Aleancës, si në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në mbështetje të Ukrainës.
Ai theksoi se Mali i Zi është një aleat i Aleancës që respekton rregullat dhe ndan shumat e parapara për mbrojtje.
“Ne diskutuam shumë gjëra, jemi të shqetësuar për Ukrainën dhe jam mirënjohës për mbështetjen ndaj Ukrainës, si dhe për pajisjet ushtarake. Ne folëm edhe për aktivitetet armiqësore ruse në territorin e NATO-s, pamë shumë sulme kibernetike, dezinformata, ndërhyrje politike, sabotazhe kundër aleatëve të NATO-s. Mali i Zi është nën kërcënim të vazhdueshëm nga sulmet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë,” tha Rutte.
Kryeministri Spajiq tha se Mali i Zi e sheh anëtarësimin e tij në NATO jo vetëm si garanci për sigurinë, por edhe si një mundësi për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global.