Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, foli në panelin “Të dhënat e hapura në Mal të Zi – Çfarë na sjell portali i ri” organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).
Portali i ri i të dhënave të hapura u zhvillua nga Ministria e Administratës Publike, me mbështetjen e BE-së dhe Zyrës së UNDP-së në Mal të Zi.
“Me shumë krenari ju njoftoj se është krijuar Portali i ri i të Dhënave të Hapura. Në këtë drejtim, ne kemi punuar në mënyrë shumë aktive, jo vetëm për të përmbushur kushtet për krijimin e Portalit të të Dhënave të Hapura por edhe për të përmbushur standardet e modeluara sipas vendeve të përparuara. Në bashkëpunim me UNDP-në në kuadër të projektit të përbashkët, “Shërbimet elektronike dhe infrastruktura dixhitale si përgjigje ndaj COVID-19”, u ranë dakord për termat e referencës për zhvillimin e Portalit të ri të të Dhënave të Hapura dhe të gjitha procedurat e përcaktuara më tej u zbatuan në përputhje me standardet e UNDP-së. Sot mund të themi se kemi arritur edhe një kusht për demokratizimin e mëtutjeshëm të gjithë shoqërisë”, tha ministri Dukaj.
Dukaj theksoi se Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me partnerët, këtë vit publikoi online Regjistrin e Organeve dhe Institucioneve në nivel shtetëror dhe vendor, dhe pak ditë më parë Portalin e Ri, me më shumë se 45 shërbime të reja.
Ai tha gjithashtu se zbulimi proaktiv i të dhënave është një mekanizëm i shkëlqyer për përmirësimin e cilësisë së punës së të gjithë administratës publike, dhe rrjedhimisht për sjelljen e përgjegjshme shoqërore të zyrtarëve qeveritarë në nivel qendror dhe lokal.
“Puna jonë nuk ka përfunduar me këtë. Krahas harmonizimit të funksionalitetit, Ministria në bashkëpunim me partnerët do të punojë në promovimin e të dhënave të hapura, përmirësimin e performancës dhe shikueshmërisë së portalit, por edhe në forcimin e kapaciteteve njerëzore për përmirësimin e kompetencave të duhura. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që institucionet e tjera të jenë proaktive dhe të përcaktojnë se cilat grupe të dhënash mund të krijojnë dhe publikojnë në një format të hapur,” tha Dukaj.