BUKËPJEKËSIT NË HUMBJE, PRITEN ÇMIME MË TË LARTA TË BUKËS

Përfaqësuesit e industrisë së bukëpjekësve, ata të shtijes me pakicë dhe Qeverisë kanë vazhduar sot negociatat për mundësinë e shfuqizimit të dekretit për ngrirjen e çmimit të llojit bazë të bukës, i cili është i vlefshëm deri më 31 dhjetor, ose ndryshimin e tij, i cili do të rriste çmimi i këtij prodhimi nga fillimi i vitit tjetër. Bukëpjekësit kërkuan një takim të ri sepse çmimet e miellit janë rritur me rreth 40 për qind që nga korriku , ndërsa ato të lëndëve të tjera të para nga 40 deri në 120 për qind. Çmimi i bukës bazë të bardhë prej 500 dhe 600 gram është i kufizuar në 50 cent për copë , kurse i asaj prej 300 dhe 400 gram në 40 cent për copë. Analiza e furrave të bukës tregon se pas katër rritjeve të çmimit të miellit që nga korriku, kanë një humbje prej tetë deri në 12 cent për bukë, në varësi të madhësisë së furrës, sasisë së miellit dhe ndërmjetësit që e blejnë. Problem shtesë është se furnitorët dhe importuesit kryesorë të miellit kanë paralajmëruar një rritje tjetër të çmimeve deri në Vitin e Ri. Arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të miellit është rritja e madhe e çmimeve të drithërave që po vijon që nga fillimi i vitit në të gjitha bursat ndërkombëtare për shkak të rendimenteve të ulëta të ndikuar nga ndryshimet klimatike. Negociatat për çmimin e bukës do të vazhdojnë javën e ardhshme, ndërsa Qeveria e Malit të Zi do të bëjë analizë për rritjen e mundshme deri në mbledhjen e ardhshme, pa rrezikuar konsumatorët.

SHARE