LIDERËT E G20 DËNOJNË LUFTËN NË UKRAINË: KONFLIKTI TË MBYLLET SA MË PARË

Lufta e Ukrainës u kthye në boshtin e samitit të grupit të G20-tës në Indonezi, krerët e të cilit dolën me një draft-deklaratë që e dënon me forcë konfliktin dhe kërkon fundin e menjëhershem të tij. Të pranishëm në takim janë presidenti i SHBA Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe liderë të tjerë. Presidenti rus Putin nuk merr pjesë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën. G20 duhet të jetë katalizatori për rimëkëmbje ekonomike gjithëpërfshirëse. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë. Nuk duhet të lejojmë që bota të shkojë drejt një tjetër lufte të ftohtë. Samiti iu drejtua përmes një lidhjeje video edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski. Ai u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të kthehen në “bashkëkrijues i paqes” dhe t’i japin fund luftës “agresive dhe destruktive” të Rusisë. Draft-deklarata e paraqitur në takim dënon me forcë luftën dhe thekson se ajo po kontribuon ndjeshëm në përshkallëzimin e brishtësisë ekonomike në të gjithë botën. Dokumenti prej 16 faqesh, pritet të miratohet nga një shumicë e madhe e anëtarëve të G20. Edhe pse aty nënvizohet se grupi i 20 ekonomive më të rëndësishme të planetit nuk është forum për të zgjidhur çështjet e sigurisë, këto të fundit nga ana tjetër mund të kenë pasoja të rëndësishme për ekonominë globale, dhe sidomos në kushtet aktuale, lidhja mes tyre është mëse e qartë.

SHARE