SËRISH NË KËRKIM TË NJË PROJEKTUESI PËR AUTOSTRADËN DREJT SHQIPËRISË

Monteput ka shpallur sërish tender për zhvillimin e zgjidhjeve konceptuale për segmentin e autostradës Adriatiko-Joniane nga Tivari nëpërmjet Ulqinit deri në pikën kufitare të Sukobinit.

Kjo punë, si në tentativën e mëparshme, është vlerësuar në 150 mijë euro, shkruan Vijesti.

Segmenti i planifikuar është 42 kilometra i gjatë dhe qëllimi i këtij dokumentacioni teknik është të vizatojë korridorin optimal të autostradës Adriatiko-Joniane, e cila do të shkonte nga pjesa jugore e tunelit të Sozinës, drejt Tivarit dhe Ulqinit, deri në kufi me Shqipërinë.

Tenderi u shpall zyrtarisht dje dhe do të zgjasë deri më 1 nëntor, sipas dokumentacionit të publikuar në faqen e internetit të Prokurimit Publik Elektronik të Malit të Zi (CeJN).

Kjo është hera e dytë që shpallet tender për projektimin e këtij segmenti , pasi i pari, i cili zgjati nga 22 korriku deri më 7 gusht, u anulua për shkak të përjashtimit të ofertuesve për shkak të deklaratave të bëra në mënyrë të pa duhur.

Vendimi për anulimin e tenderit është marrë më 30 shtator, me propozim të Komisionit për zbatimin e procedurës së prokurimit publik.

SHARE