KLODIANA SPAHIU DHE AGRON GJEKMARKAJ ZGJIDHEN NËNKRYETARË TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Klodiana Spahiu dhe Agron Gjekmarkaj janë zgjedhur zëvendëskryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë seancës së sotme parlamentare, raporton Anadolu.

Spahiu u zgjodh në këtë post me propozim të grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, ndërkohë Gjekmarkaj u zgjodh me propozim të grupit parlamentar të partisë opozitare, Partisë Demokratike.

Në seancën e sotme u miratuan edhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, që përfshijnë ngritjen e 11-të komisioneve të përhershme parlamentare.

Gjatë procesit të votimit, deputetë e opozitës u larguan nga salla e seancave plenare, duke mos marrë pjesë në votim, pasi kundërshtuan edhe mënyrën e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi pritet të mblidhet përsëri në orët e pasdites së sotme, ku do të diskutohet dhe votohet për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare.

Më 12 shtator u mbajt seanca e parë e konstituimit të Kuvendit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë Niko Peleshi, deputet i Partisë Socialiste, u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit.

Kuvendi pritet të caktojë datën për prezantimin e programit të qeverisë dhe miratimit të kabinetit të ri qeveritar në ditët në vazhdim.

SHARE