GJELAJ: PROTESTA E ORGANIZUAR DJE PARA NDËRTESËS SË KOMUNËS, KISHTE QËLLIME POLITIKE

Foto: Komuna e Tuzit

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” lidhur me protestën e organizuar një ditë më parë para ndërtesës së komunës.

Gjelaj ironizoi pjesëmarrjen e ulët në protestë, duke shkruar:

“Nëse ky është standardi i masës, atëherë ia vlen të përmendet se gjatë një pasdite në një kafene mesatare mblidhen më shumë njerëz. Ishin aq pak sa mund të numroheshin me gishta, dhe prapë do të mbeteshin disa gishta të lirë.”

Ai e cilësoi të ashtuquajturin “tubim kundër deponisë” si një përpjekje me prapavijë politike, duke theksuar:

“U organizua nga disa individë që, ashtu siç kanë dështuar disa herë në profesionin e tyre, tani nuk po arrijnë sukses as në politikë.”

Sipas Gjelajt, qytetarët janë të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të organizatorëve dhe nuk u japin më besim atyre që, siç tha ai, “kërkojnë përfitime personale duke u fshehur pas kauzave të rreme me qëllim politik dhe vetjak”.

Kryetari Gjelaj përfundon postimin me mesazhin se mungesa e mbështetjes qytetare për këtë protestë është tregues i qartë i refuzimit ndaj manipulimeve politike.

SHARE