GJELOSHAJ: QEVERIA BËRI NJË HAP TË MADH DREJT BASHKIMIT EVROPIAN

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj tha se kanë bërë një tjetër hap të madh për rrugëtimin e tyre evropian.

Në seancën telefonike të mbajtur më 14 shtator 2024, Qeveria e Malit të Zi miratoi Projektligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta me Raportin e Dëgjimit Publik.

“Për të mbyllur me sukses kapitujt 7 (Ligji i Pronësisë Intelektuale) dhe 10 (Shoqëria e Informacionit dhe Medias), propozimet e ligjeve të lartpërmendura i kam paraqitur në seancën e Qeverisë së Malit të Zi, ku miratimi i tyre konfirmon punën e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në këtë fushë”, shtoi ai.

Gjeloshaj theksoi se është krenar që Ministria e Zhvillimit Ekonomik vazhdon të ndërmarrë hapa vendimtarë në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

“Tani jemi një ditë më afër zhvillimit ekonomik, një ditë më afër familjes së madhe evropiane,“ theksoi zëvendëskryeministri Gjeloshaj.

SHARE