Pas rizgjedhjes në krye të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkon të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Për këtë qëllim ajo do të mbledhë më 19 shtator në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të bëhet një analizë e reformave, për të shpërndarë pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Bashkimi Europian në maj të këtij viti.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni prej vitit 2024 deri në vitin 2027.
Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.
Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të ballkanit perendimor.
Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të prodhimit të brendshëm bruto, numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.