GJELOSHAJ FTOI QYTETARËT QË TË DËRGOJNË PROPOZIME PËR PRODUKTET QË DUHET TË PËRFSHIHEN NË LISTËN E MARZHEVE TË KUFIZUARA

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ftoi qytetarët që të dërgojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për produktet që duhet të përfshihen në listën e marzheve të kufizuara.

Gjeloshaj tha se një model i kufizimit të marzheve për produktet që përdoren më së shumti është në fazën e përgatitjes.

“Duke pasur parasysh se kjo është një temë me rëndësi të gjerë, dëshiroj të dëgjoj dhe shqyrtoj të gjitha propozimet që mund të kontribuojnë në cilësinë e kësaj zgjidhjeje. Prandaj, po shfrytëzoj rastin të hap dialog dhe debat publik që së bashku, duke dëgjuar mendimet dhe përvojat tuaja, të arrijmë në një vendim dhe një zgjidhje që do të pasqyrojë më së miri nevojat tuaja”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.

Siç tha ai, dëshira e tyre është rritja e të ardhurave dhe forcimi i standardit të të gjithë qytetarëve.  

“Në fund të fundit, ky është obligimi dhe detyra jonë. Pres komente, sugjerime dhe propozime për produktet që duhet të jenë në listën e marzheve të kufizuara”, tha Gjeloshaj.

Ai tha se komentet dhe sugjerimet mund të dërgohen në adresën e-mail kabinet@mek.gov.me, në profilin personal të Gjeloshajt në Facebook, profilin e Ministrisë së Ekonomisë si dhe në llogaritë në Instagram.  

SHARE