ALARM I KUQ NË TË GJITHË ITALINË / EMERGJENCË NË 22 QYTETE, VENDI PO PËRVËLOHET

Italia ka ndezur alarmin e kuq në 22 qytete, ndërsa vendi po përgatitet për një tjetër valë të fortë të nxehti në një verë që theu të gjitha rekordet e mëparshme për sa i takon temperaturave ekstreme.

Njerëzve u kërkohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të qëndrojnë të hidratuar.

Në rajonin e Lazios, i cili përfshin kryeqytetin Romë, është në zbatim një plan emergjence për të trajtuar efektet e nxehtësisë intensive në shëndetin e njerëzve.

Kjo vjen ndërsa numri i rasteve të shtrimeve urgjente në spital në lidhje me nxehtësinë, është rritur. Vecanërisht në rrezik janë të moshuarit.

“Problemet më të zakonshme shëndetësore rreth kësaj periudhe të vitit përfshijnë përkeqësimin e sëmundjeve kronike si problemet e lidhura me zemrën, aritmia, infeksionet dhe funksioni i veshkave gjithashtu preken edhe çështjet e sjelljes,” tha Dr Giuseppe Famularo nga Spitali Camillo-Forlanini në Romë.

Shqetësimet janë të mëdha edhe për kushtet e punës në temperatura ekstreme, veçanërisht për ata që punojnë jashtë. Por pavarësisht temperaturave në rritje, numri i turistëve që vijnë në vend pritet të rritet këtë vit.

Organizatat tregtare kanë vlerësuar se prania e vizitorëve në muajt e verës do të rritet me gati 2% krahasuar me vitin e kaluar.

SHARE