Mandatari për përbërjen e qeverisë së 44-të dhe kryetari i Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq, ka diskutuar dje për formimin e pushtetit ekzekutiv me përfaqësues të partive politike që e kanë mbështetur për kryeministër të ardhshëm, duke thënë se “filloi më mirë se sa pritej”.
Pas negociatave të djeshme ai bëri të ditur se takimi ka qenë i mirë, por se nuk është diskutuar për shpërndarjen e departamenteve.
Në një prononcim për portalin e RTMZ, deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, ka thënë se programi i Qeverisë së re bazuar në parimet e paraqitura më parë është i rëndësishëm.
“Unë jam optimist për formimin e qeverisë, por nuk më rëndon fakti kush do të përbëjë shumicën dhe kush do të jetë në të. Nëse ofrohet një program në bazë të këtyre dhjetë parimeve, më pak e rëndësishme është përbërja personale e saj, përveç pritjes se do të jenë njerëz të ndershëm për të cilët ka nevojë shoqëria në Mal të Zi”, theksoi Camaj.
Pas takimit, Spajiq deklaroi se “për ekipin që është heterogjen parimet jane të pranueshme”.