ZETA ËSHTË PADYSHIM KOMUNA MË E PËRGATITUR QË MUND TË FUNKSIONOJË NË MËNYRË TË PAVARUR

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi në një seancë të jashtëzakonshme duhet të votojnë katër kandidatët e propozuar për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e avokatëve të dalluar, por edhe të vendosin për propozimin që Zetës t’i jepet statusi i komunës. Seanca filloi me një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë në Cetinë. Deputeti i FD-së, Sllaven Radunoviq, në fillim të seancës tha se nuk ka nevojë të deklarohet per asgjë sepse, siç thotë ai, seanca e Kuvendit është caktuar jashtë procedurës. Projektligji për ndryshimin e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi dhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Kryeqytetin janë në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik, vlerësoi Kuvendi me shumicë prej 42 votash. Kundër ishin 35 deputetë, ndërsa abstenoi 1 deputetë. „Qëndrimi i PDS-së për çështjen e Zetës dihet prej kohësh dhe tani janë plotësuar të gjitha kushtet që Zeta të bëhet komunë e pavarur”, tha deputeti i PDS-së, Danijel Zhivkoviq. Në emër të propozuesit të ndryshimeve në ligjin për organizimin territorial të Malit të Zi dhe Kryeqytetit, që parashikon themelimin e Zetës si komunë e pavarur, ai deklaroi se Zeta do të ketë të ardhura dhe do të mund të funksionojë e vetëqëndrueshme. Deputeti i Demokratëve Momo Koprivica tha se partia avokon për komunën e pavarur të Zetës, por ligjet e propozuara janë diskriminuese dhe se qytetarëve të Zetës do t’u mohohen të drejtat elementare. Deputeti i FD-së, Milan Knezheviq, ka mbështetur banorët e Zetës, të cilët po protestojnë kundër ndryshimeve të ligjit të propozuar nga PDS-ja. „Ja shansi juaj të miratoni amendamentet tona me demarkacione territoriale, sipas të cilave Zeta do të ishte e pavarur dhe e qëndrueshme, kështu që banorët e Zetës le të votojë vetëm në Zetë dhe le të mos votojë në Podgoricë, a është ky një vendim i drejtë. Lëvizjet tona të mëtejshme do të varen nga vota juaj”, tha Knezheviq. Deputeti i PSP-së, Dragan Ivanoviq, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do t’i mbështesë projektligjet me të cilat Zetës do t’i jepet komunë e pavarur, në mënyrën e propozuar nga PDS-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të Demokratëve, Boris Bogdanoviq, tha se me këtë propozim, PDS-ja po shkon kundër vullnetit të popullit. Ai propozoi edhe miratimin e ligjeve për komunën e pavarur të Zetës, pas zgjedhjeve të 23 tetorit. Deputeti dhe kryetar i Klubit të Deputetëve të Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, tha se të gjitha partitë e mbështesin synimin që Zeta të jetë komunë dhe kjo është diçka, siç shton ai, për të cilën nuk ka asnjë dyshim. Siç thotë Konatar, për këtë janë edhe qytetarët e Zetës. Ai thekson se në kontest është territori i komunës së ardhshme të Zetës.  Deputetja e LPN-së, Branka Boshnjak, tha se ligjet e propozuara nuk janë në interes të qytetarëve të Zetës, por, siç thekson ajo, janë propozim i PDS-së për të ruajtur pushtetin në kryeqytet. Deputeti i SD-së, Boris Mugosha megjithatë tha se është e nevojshme të bëhet një raund tjetër konsultimesh. „Koha do të tregojë, nëse banorët e Zetës jetojnë më mirë, atëherë ne kemi bërë mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë Mugosha dhe ka kërkuar që edhe një herë të diskutohet për çështjen e kufirit. Kreu i PL-së Andrija Popoviq tha se nuk ka dyshim se edhe Zeta do të marrë statusin e komunës. Sipas tij, në atë zonë jetojnë 16 mijë qytetarë dhe do të jetë një komunë me shumicë të mesme me potencial të madh. “Është e sigurtë se Zeta e meriton një komunë të pavarur, kjo duhej të ndodhte në vitin 2018 kur Tuzi mori komunë të pavarur”, tha Popoviq dhe shtoi se do të votonte për një zgjidhje të tillë.

SHARE