KOSOVË, QEVERIA NJOFTON SE ËSHTË KTHYER FURNIZIMI I RREGULLT ME ENERGJI ELEKTRIKE

Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka bërë të ditur se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike disa orë pasi qytetarët kosovarë filluan të përballen me to.  Në njoftimin e ministrisë, të shpërndarë edhe nga faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës në rrjetet sociale, thuhet se duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse kosovare po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Ministria e Ekonomisë njoftoi se për rregullimin e kësaj çështjeje institucionet kosovare kanë bashkëpunuar me ato shqiptare. “Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH), është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, njoftoi ministria. Tutje, thuhet se institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim, derisa apelohet tek qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës. Gjatë ditës së djeshme, Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) bëri të ditur se nga 15 gushti qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike.

SHARE